Derbi i kryeqytetit, sfida që prodhon spektakël, veçanërisht jashtë fushës së blertë. Këtë herë ishtë Tirana, skuadra që dominoi dhe triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj një Partizani që u duk se do ta kishte të lehtë në 45 minutat e para. Por, futbolli ndaj është sporti më i ndjekur në botë se në çdo moment është i paparashikueshëm.
Protagonist i kësaj ndeshje ishte Rijad Kobiljar ku me zhvendosjen taktike të Shehit në pjesën e dytë, ai u shndërrua në rrezik konstant për të kuqtë. E megjithatë në disa raste nuk arriti të kishte koordinimin e duhur me Xhixhën duke e mbyllur këtë 90 minutësh pa prekur rrjetën në aspektin personal. Por, për ta zhvilluar dhe më tej protagonizmin, ai mori megafonin te Fanaticsat dhe u zhvesh nga fanela bardheblu për disa sekonda si ultras. Një pamje që gjithëkujt mund t’i jetë dukur si një “deja-vu”, vite më parë më kapitenin legjendar, Gent Muça.
Ky i fundit, në një ndeshje derbi sërish ndaj Partizanit, ku në pankinë ishte Ilir Daja, mori megafonin duke thirrur bashkë me tifozët kore anti skuadrës së kuq. Në 2016-tën, shtatlarti ishte subjekt i Komisionit të Disiplinës dhe për këtë u dënua, jo pak, por plot 1 vit pezullim nga çdo aktivitet futbollistik. Por, pas apelimit, u fal dhe dënimi iu ul në vetëm 6 ndeshje. Përpos kësaj, asokohe, Muça kërkoi edhe falje ndaj tifozërisë së kuqe dhe sportdashësve shqiptarë duke theksuar se gjithçka kishte qenë në kuadër të euforisë.
Për t’u kthyer te rasti “Kobiljar” pritet të shihet se çdo të ndodhë me mesfushorin që rrëmbeu megafonin duke përdorur një shprehje që ndoshta as nuk ia di kuptimin e asaj që ka shqipëruar: “Partizani të q*va robt oe, oe”. E megjithatë organi i drejtësisë sportive ka treguar që në raste të tilla nuk fal, për më tepër kur bëhet fjalë për një çështje sensitive ku preket tifozëria kundërshtare.
Nga Muça te Kobiljar, plot 10 vite, megafoni shndërrohet në makth për klubin bardheblu. Një dënim i mundshëm i mesfushorit do të prishte plotësisht planet e Orges Shehit në këto 3 javë, tejet deçizive për objektivin “mbijetesë”.
