
Tirana do të luajë në “Elbasan Arena” ndaj Torpedo Kutais. Një dul mjaft i rëndësishëm, ku bardheblutë do të synojnë fitoren per të tentuar kualifikimin, me sfidën e parë që ka përfunduar 1-1.
Në prag të kësaj përballjeje në konferencën për shtyp ka folur Bledi Shkëmbi. Timonieri i bardheblutë ka theksuar se e vlerësojnë kundërshtarin, por në Elbasan do të sigurojnë kualifikimin.
“Mendoj që kemi bërë një paraqitje të mirë duke pasur parasysh kohën në disposicion, sinjalet e asaj ndeshje janë pozitive. Unë personalisht dhe stafi jemi të mendimit që kemi bërë një ndeshje positive por kemi vlerësim maksimal për kundërshtatin. Është një skuadër shumë e fortë. Për skemën nuk ndryshon gjë, Ismajli kthehet, na vjen keq për çfarë ndodhi ndeshjen e parë. Lojtarët duhet të japin maksimumin, të vrapojnë pafund dhe të kenë besim për kualifikimin.
Unë pres një Tiranë që të luajë në mënyrën që të kualifkohet, do ta shohim në fushë, por do të jemi me dëshirë për tu kualifikuar. Duhet të dimë se çfarë mund të bëjmë. Para ndeshjeve shanset janë 50 me 50, të barabartë, por kundërshtari është disa hapa para nesh për shumë arsye.
Mua personalisht më bëri përshtypje ardhja e tifozëve deri atje, më pëlqyen djemtë. Shpresoj ti kemi afër përsëri, nuk iu premtohet fitorja, por do të japin maksimumin në fushë”, ka përfunduar Shkëmbi. Kujtojmë se sfida starton në orën 20:00 në "Elbasan Arena" dhe është e vlefshme për turin e parë të Conference League.