I ftuar në “Kubi Sportiv” në Euronews, kapiteni i Dinamos, Bruno Dita ka folur pas triumfit në Superkupë përballë Egnatias. Dita zbuloi shumëçka, duke treguar se presidenti Bardhi u ka dhënë shpërblim në kohën e Krishtlindjes, pra Superkupës, duke i “motivuar” në njëfarë mënyre. Ndër të tjera, vlerëson edhe punën e trajnerit Ilir Daja.
“Superkupa është më shumë një trofe prestigji. E vlerësuam ndeshjen dhe e fituam. Në pjesën e dytë ishim më agresiv në sulm, por gjatë gjithë kohës ishim më lart se Egnatia, edhe në pjesën e parë. U pësua ai goli për fat të keq që na hoqi pak përqendrimin, por nuk ndikoi shumë në vazhdimësinë e lojës. Në përgjithësi jemi të kënaqur, kemi fituar Kupën dhe
Superkupën këtë vit, në Europë shkuam shumë mirë deri në Play Off, na mungon vetëm titulli i Superiores. Presidenti na shpërbleu që para dy tre ditësh në momentin e festave, na dha shpërblim dhe i jemi falenderues. Daja? Kam punuar gjithmonë me të, në disa skuadra, ka analiza paksa të zgjatura, por janë këto analiza që na bëjnë të marrim rezultatin e duhur”, tha Dita.
