Egnatia ka në dorë fatet e sezonit të Superiores. Në dy ndeshjet e mbetura rrogozhinasit do të përballen me Dinamon në transfertë dhe Tiranën në shtëpi. Dy ndeshje shumë të rëndësishme që do të jenë direkt vendimtare për Final Four.
Finalet nisin më 17 maj, por për Egnatian nis që të mërkurën. Duke qenë se rezultatet e mundshme në të dyja ndeshjet ndikojnë direkt, rrogozhinasit luajnë për të ‘djegur’ një rival të mundshëm në Final Four.
Do të jetë një muaj sfilitës për Egnatian pasi do të luajë gati çdo 3 ditë: 7, 10 maj në kampionat, 14 maj finalja e Kupës, më pas datat 17 apo 19 për gjysmëfinalen e parë si dhe 24 apo 26 për finalen e madhe ose të vogël.
Trajneri Edlir Tetova, së bashku me stafin e tij dhe lojtarët do të jenë me laps e letër në dorë. Skënderbeu, Dinamo apo Tirana në Final Four? Gjithçka ‘vendoset’ nga Egnatia.