
Për ekipet e Superiores nuk do të ketë shumë kohë për pushim. Skuadrat do të duhet të rikthehen shumë shpejt në fushë për të bërë mes tyre llogaritë e javës së 10-të.
Këtë fundjavë u mbyll faza e parë e kampionatit, ndërsa ditën e premte dhe të shtunë do të luhet sfida e parë e fazës së dytë të Superiores. Kështu është zbuluar edhe axhenda e kësaj jave.
Ditën e premte do të luhen 3 ndeshje. Në orën 14:00 do të luhet paralelisht në Ballsh dhe Rrogozhinë. Në “Adush Muça” do të sfidohen mes tyre Bylisi dhe Teuta, ndërsa në “Egnatia Arena” vihen përballë Egnatia dhe Dinamo. Ndërkohë në orën 17:00 e gjithë vëmendja do të jetë te sfida mes Tiranës dhe Laçit.
Ditën e shtunë do të zhvillohen 2 ndeshjet e mbetura të kësaj jave. Në orën 17:00 do të përplasin “brirët” Elbasani dhe Skënderbeu, takim që do të luhet në “Elbasan Arena”. Ndërkohë në orën 19:30 do të zhvillohet sfida e fundit mes Vllaznisë dhe Partizanit në “Loro Boriçi” që do të jetë edhe supersfida e kësaj jave, e cila do të luhet për kreun e Superiores.
