Këto ditë stadiumet shqiptare, në kategoritë e ndryshme të futbollit, nga Superiorja e deri në ato më poshtë kanë më interes dhe interesimi vjen nga “elita” politike, sepse është momenti I duhur, rreth 3 javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Kudo ku mblidhen më shumë se 10 persona gjen një politikan që është shumë i “interesuar” për atë që ndodh, për mbarëvajtjen dhe mbi të gjitha për gatishmërinë e zgjidhjes së problemit.
I njëjti sport të cilin gjatë gjithë periudhës pas fitimit të zgjedhjeve e përçmojnë e refuzojnë dhe as nuk ulen madje të dëgjojnë apo të mendojnë se si ta ndihmojnë. Jo më kot shpesh klubet e futbollit një pjesë ende nën varësinë e politikës, apo pushteteve lokale, mbahen peng pikërisht për ditë si këto, me çikërrima lëmoshe më tepër se sa me politika afatgjatë apo projekte që do të zgjidhnin një herë e përgjithmonë problemet e mënyrën e funksionimit të një klubi futbolli.
Sot në tribunën e çdo stadium gjen politikanë mjaft të interesuar se si do të shkojë ndeshja e qytetit aë shefi I ka caktuar të mbulojnë për fushatë, takime me lojtarët e trajnerët me një përzemërsi dhe përulje sa gati-gati të duket i vënë në siklet presidentët e klubeve. Si nuk i paskan kërkuar më herët t’i ndihmojnë?!
Një teatër që luhet me vite të tëra dhe po e njëjta histori, çjerrja e njerëzve që kanë shpenzuar nga bizneset e tyre për të mbajtur gjallë futbollin si të vetmin argëtim të fundjavave dhe jo vetëm, kryesisht në për rrethe, ka qenë gjithmonë një gumëzhitje e lodhshme për pushtetin.
Kërkesa tashmë e shndërruar në një telenovelë për kthimin në funksion të ligjit të sponsorizimeve, që mbetet që nga viti 1994, të paktën për ta patur fundja edhe si Kosova jo Gjermania, Italia, Anglia apo Spanja, është kthyer në një premtim të çdo fushate, njësoj si fjalia, “24 orë ujë e drita, në 4 vitet e ardhshme.”
Megjithatë në një vend të vogël dhe të varfër prapë shpresa mbetet se këtë herë do ta kenë me të vërtetë, se s’ka ku shkon më! Por nuk dimë të themi se deri kur, por ndoshta një ditë kur të shkojnë në tribunat e impianteve sportive që mbahen gjallë nga vetë komuniteti I sporteve me sforco, do t’I gjejnë bosh, të mbyllur apo rrënuar duke mos patur më askënd që ti dëgjojë, edhe një here tjetër të njëjtën gënjeshtër.