
Ditën e sotme Komisioni i Apelit pranë FSHF-së hodhi poshtë vendimin e parë të Disiplinës, duke rikthyer tifozët e Tiranës në shkallët e stadiumit. Tifozët bardheblu do të jenë të pranishëm që në derbi.
Pikërisht pas këtij vendimi të Apelit ka ardhur dhe reagimi i parë nga Tirana. Klubi bardheblu ka reaguar në faqen zyrtare me anë të një postimi në rrjetet sociale.
REAGIMI I TIRANËS:
Pas ndëshkimit në ndeshjen KF Tirana - FK Vllaznia e vlefshme për Javën 11 të Kategorisë Superiore, i cili ishte tërësisht në disproporcion me incidentin e izoluar në këtë ndeshje, Komisioni Apelit në Federatën Shqiptare të Futbollit pasi mori në shqyrtim ankimin e KF Tirana, vendosi të ndryshoj vendimin nr. 13, pika I të datës 01.11.2024 të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës.
KOMISIONI I APELIT TË DISIPLINËS DHE ETIKËS
Pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik dhe dëgjoi perfaqësuesit e Klubit të Futbollit Tirana, shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur, diskutoi çështjen ne teresi dhe vendosi:
Lënien në fuqi të masës së dënimit me gjobë në shumën 300.000 (treqind mijë) lek.
Ndryshimin e pjesës tjetër të vendimit që konsistonte në:
KF Tirana të dënohet me tetë ndeshje pa spektatorë. Ndërkohë që tre janë kryer tashmë dhe pjesa e mbetur është pezulluar me kusht.
Pezullimi i dënimit revokohet nëse gjatë periudhës së provës KF Tirana kryen një shkelje tjetër të natyrës dhe rëndësisë së ngjashme.
Periudha e provës do të jetë deri në perfundim të sezonit futbollistik 2024- 2025.
Duke nisur nga ndeshja e ardhshme, KF Tirana-FK Partizani, dyert janë të hapura për tifozët.