
E marta e 14 majit do të futet në historinë e qytetit të Rrogozhinës. Klubi i futbollit Egnatia fitoi për herë të dytë rradhazi dhe të dytin në historinë e saj trofeun e Kupës së Shqipërisë teksa mposhtën Kukësin në finale.
Festa ishte e madhe pas ndeshjes, aq sa pati edhe propozime martesash nga portieri Alen Sherri për të dashurën e tij. Tifozët kishin udhëtuar në kryeqytet për të mbështetur skuadrën dhe e bënë në mënyrën më të mirë duke dhuruar disa skena fantastike dhe emocionuese.
Më e bukura që do të mbahet mend gjatë ishte koreografia kryesore kur lojtarët dolën në fushë. Një banderolë gjigante në formën e fanellës dhe emri Raphael e numri 7 mbi të për nder të ikonës Dwamena.
Jo vetëm kaq, por arritjet e klubit kanë bërë që trajneri Edlir Tetova dhe presidenti Agim Demrozi të kthehen poashtu në heronj e idhuj të tifozërsië të cilët kishin përgatitur banderola të veçanta për ta.
Futbolli është i bukur, është i bukur ta shohësh, por bukuria më e madhe qëndron në lidhjen që krijon një skuadër me tifozët e saj. Shkurt, tifozët janë bukuria e futbollit dhe në Rrogozhinë po faktohet gjithnjë e më shumë.