Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

“Flamurtari një emër i madh”, Ivan Gvozdenovic: Jemi përgatitur, i sigurt që do të na mbështesin tifozët

Shkruar nga NEWSPORT
“Flamurtari një emër i madh”, Ivan Gvozdenovic: Jemi
Ivan Gvozdenovic

Elbasani në orën 20:00 do të presë në “Elbasan Arena” skuadrën e Flamurtarit. Mes tyre do të bëjnë llogaritë e javës së parë të Superiores. Një duel i cili rikthehet pas 1 viti dhe premton të jetë mjaft i luftuar dhe emocionues.

Në prag të kësaj sfide ka folur Ivan Gvozdenovic. Timonieri i verdhebluve ka theksuar se e respektojnë Flamurtarin, por në fushë do të hyjnë vetëm për fitoren. Ndër të tjera ka kërkuar edhe mbështetjen e tifozëve edhe në këtë sezon, pasi janë shumë të rëndësishëm për ekipin.

“Jemi të përgatitur për këtë ndeshje, pasi kemi bërë edhe fazën përgatitore. E respektojmë Flamurtarin si skuadër dhe presim një ndeshje të fortë. Ne kemi besim të plotë te vetja dhe mentalitetin për të fituar. Sa i përket lojës, kemi provuar disa sisteme dhe djemtë janë adaptuar shpejt. Nuk mund të them se me çfarë skeme do të luajmë, por ajo që ka rëndësi është se jemi gati.

Rikthimi i Flamurtarit është shumë pozitiv për futbollin shqiptar, sepse ata janë një emër i madh. E bëjnë kampionatin më interesant dhe kanë investuar shumë. Si kundërshtarë do presim pak të shohim sesi janë, por fokusi ynë është te vetja dhe te synimi për të fituar. Duke respektuar gjithnjë kundërshtarin, por më shumë respekt kemi për veten tonë dhe për atë që synojmë në këtë ndeshje.

Kanë firmosur pesë lojtarë deri tani me ne. Jam i kënaqur me ta, sepse pothuajse të gjithë kanë filluar nga fillimi me ne duke bërë një fazë të plotë. Megjithatë, fusha do të jetë vendi ku do t’i tregojmë aftësitë e tyre, por deri tani kam marrë sinjale pozitive dhe kjo më bën optimist.

Mesazhi i parë për tifozët është një falenderim për mbështetjen e dhënë gjatë edicionit të kaluar. Ata qëndruan pranë nesh dhe na mbështetën gjithnjë. Ishte një vit i bukur dhe i vështirë, por tifozët nuk u dorëzuan kurrë. Edhe këtë sezon kemi nevojë për ta, sepse jemi më të fortë kur janë me ne dhe jam i sigurt që sërish do të na mbështesin në çdo sfidë”, ka theksuar serbi.

Poll

Lexo gjithashtu