
Oltijon Kërnaja ditën e djeshme mori në dorë “frenat” e Partizanit dhe tashmë do të drejtojë “Demat” në Superiore. 37-vjeçari është prezantuar para lojtarëve dhe skuadrës, ndërsa nuk ka humbur kohë.
Kështu kanë zhvilluar edhe stërvitjen e parë nën urdhrat e Kërnajës, i cili ka nsiur përgatitjet e skuadrës për duelin e ardhshëm. Në program është një përballje direkte me Flamurtarin.
Një duel i vështirë dhe direkt për mbijetesë, pasi siç dihet të dyja ekipet mbyllin klasifikimin e kampionatit. Ish-timonieri i Kukësit do të synojë që të rikthejë skuadrën te rezultatet pozitive dhe ta vendosë në “shinat” e duhura.
Falë pauzës së kampionatit për shkak të sfidave të Kombëtares, Kërnaja do të ketë kohën e mjaftueshmë në dispozicion për të njohur dhe përçuar te futbollistët idetë e tij. Padiskutim që timonieri i të kuqve ka sjellë dukshëm një energji pozitive në ekip, me futbollistët që gjatë stërvitjes shiheshin të buzëqeshur me njëri -tjetrin.