
Partizani dhe Tirana do të përballen këtë të premte, në kuadër të javës së 6-të të Superiores. Derbi i kryeqytetit që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë në orën 19:00.
Në prag të këtij dueli, në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, ka folur ish-i i të dy ekipeve, Sebino Plaku. Sipas Plakut, forma momentale nuk do të ndikojë, teksa do të shohim një derbi spektakolar. Ndër të tjera, ish-futbollisti thotë se niveli i Superiores, ndërsa thekson se Refik Halili dhe Gaz Demi kanë bërë punë të mirë në klubet respektive.
Një derbi i “vakët”, duke parë renditjen në tabelë të Partizanit dhe Tiranës. Çfarë mendonise ka ndikuar tek dy ekipet kryeqytetase?
Renditja e tabelës nuk ka treguar shumë kur janë ndeshur këto dy ekipe. Por që të vjen keq që derbi t’i gjejë në këtë situatë. Gjithsesi, mendoj se ndeshja do të jetë spektakolare. Tifozëritë përkatëse do e krijojnë atmosferën e duhur për ta sjellë në nivelin që i takon kësaj ndeshje.
Keni luajtur me të dyja, ku jeni ndjerë më mirë dhe përse?
Tek të dyja ekipet kam qenë në periudha të ndryshme të karrierës si futbollit, por edhe si trajner tashmë. Janë dy ekipe që më kanë dhënë shumë dhe më kanë bërë ky që jam sot. Jam krenar që kam qenë pjesë e tyre.
Me cilët drejtues kishte marrëdhënie më të mira Plaku, me të Partizanit apo të Tiranës, arsyeja?
Ashtu si ekipet, por edhe drejtuesit kanë qenë periudha të ndryshme dhe karakterë të ndryshëm. Kam dhënë shumë si për Tiranën ashtu edhe për Partizani. Presidenti Halili po ashtu edhe Demi, kanë qenë pjesë e rëndësishme e historisë së këtyre klubeve të mëdha.
Nëse sot do t’ju kërkonin si trajner tek Tirana dhe Partizani, cilën prej dy ekipeve do të zgjidhnit momentalisht?
Përsa i përket përzgjedhjes, e kush jam unë që ta bëj diçka të tillë? Sot është dita që drejtuesit kanë luksin të përzgjedhin cilin duan. E nëqoftëse ti je i përzgjedhuri, kjo do të thotë se është momenti yt.
Si e shikoni nivelin e Superiores, krahasuar me kohën kur luanit ju. Më lart apo më dobët?
Mendoj se niveli i Superiores është gjithnjë në rritje. Kjo, pasi infrastruktura, kualifikimi i trajnerëve sot dhe përhapja e informacionit bën që niveli i të gjithëve të jetë vetëm në rritje. Sot i jepet mundësia shumë aktorëve që të shprehen maksimalisht. Kështu që po jetojmë në kohë të mira.
Cili ekip e fiton këtë derbi, rezultati përfundimtar sipas jush?
Derbi është i paparashikueshëm për rezultat, por duke qenë që u munduam t’i krahasojmë këto dy ekipe dhe duke ditur se është e vështirë, njësoj vlen edhe për rezultatin. Do të isha i kënaqur që të qëndronte kështu dhe të shtonim vetëm një lojë të hapur dhe tërheqëqe, kjo do na kënaqte nga kjo ndeshje.