
“U thashë djemve se kështu duhet të jetë nisja jonë”, ishin fjalët e trajnerit Roberto Bordin pas humbjes së Tiranës në derbin përballë Dinamos 1 javë më parë me shifrat 1-2.
Duket se fjala e trajnerit italian nuk ka shkuar në vesh të shurdhët, por aty ku duhet, tek protagonistët e fushës. Një lojë perfekte përballë Partizanit të përgjumur, bëri që të “dilte fjalja” e Bordin, duke i dhënë plotësisht të drejtë “timonierit” të bardhebluve.
Ai gjithashtu shprehej se kondicioni fizik po përmirësohej, madje edhe kjo u pa mbrëmë. Lojtarët e Tiranës vraponin pa pushim, duke treguar grintë, por edhe përgatitje të mirë fizike.
Megjithatë, fitorja në derbi mbetet “një pikë në oqean” dhe duhet parë nëse kjo paraqitje dhe formë e mirë mentale e fizike, të ketë vazhdimësi.