Javët e mbetura të kampionatit te Partizani do të vazhdojnë pa trajnerin Oltijon Kërnaja, i cili u shkarkua para pak orësh nga drejtuesit e klubit, të cilët në njëfarë mënyre kanë pranuar dhe “fatin” e skuadrës për të qëndruar në vendin e 5-të dhe pa pjesëmarrjen në kupat e Europës.
Sigurisht, një zgjedhje e cila ka shkaktuar habi në radhët e futbollistëve, ku njëri prej tyre ka vendosur t’i përcjell mesazhe falenderimi teknikut tropojan për besimin që i ka dhënë gjatë kohës së drejtimit të “Demave”.
Bëhet fjalë për Marjo Kolën, mbrojtësin e krahut të djathtë, i ardhur nga skuadra e dytë e që falë Kërnajës mori besimin për t’u inkuadruar në ekipin e parë duke u bërë një element i rëndësishëm në kontigjent "Të Kuqtë".
“Faleminderit profesor që besove tek unë. Suksese të mëtejshme”, shkruan Kola në postimin e bërë në profilin e tij në Instagram duke etiketuar edhe ish-trajnerin.
Tashmë që 37-vjeçari nuk do të vazhdojë më punën e udhëhequr prej 7 muajsh, mbetet mister se si do të ndiqet puna me të rinjtë e skuadrës, pasi vetë Kërnaja shquhej për një udhëheqës të mirëfilltë në këtë aspekt, duke u bërë një "urë" e rëndësishme për aktivizimin e lojtarëve që vinin nga ky sektor.
