
Ish-futbollisti i Tiranës, Rezart Dabulla ka analizuar së fundmi PArtizanin dhe Tiranën, në prag të derbit të kryeqytetit. I ftuar në emisionin “Proçesi Sportiv”, Dabulla ka “shigjetuar” dy ekipet, por më shumë bardheblutë. Për këta të fundit, ish-futbollisti thotë se janë kandidatët kryesorë për të rënë nga Superiorja.
“Sipas parashikimeve të mia, uroj që tifozët të vijnë në derbi. Por duke parë atë që po japin Partizani dhe Tirana, besoj se do të ketë numrin më të pakët të tifozëve se në derbit e mëparshëm. Shpresoj mos të jetë kështu, sepse e dua stadiumin plot. Por cilësia të çon drejt kësaj.
Tirana? Unë jam realist. Vetëm të shohësh tabelën… nuk ka qenë kurrë. Luftuam me “play-out” mezi shpëtuam me ekipin e vendit të katërt të Kategorisë së Parë. E nisëm këtë vit dhe jemi më dobët se vjet.
Unë po i bie daulleve, që këta që kanë veshë të dëgjojnë dhe të qajnë tani në fillim dhe t’i japin kohë vetes që të paktën në janar të shohin se ç’mund të rregullojnë. Jemi kandidatët kryesorë për të rënë nga Superiorja.
Unë nuk mbaj mend që Tirana dhe Partizani të jenë në këtë fazë dhe të luajnë derbi në këtë renditje në kampionat. Ky do quhet derbi i halleve”, u shpreh Dabulla.