
Sezoni futbollistik shqiptar 2024/2025 ka shënuar një tjetër moment historik në zhvillimin e tij, duke regjistruar një numër rekord lojtarësh të regjistruar. Në krahasim me edicionin e kaluar, këtë sezon janë shtuar 2900 futbollistë të rinj, duke e çuar numrin total në 23,374 lojtarë të licencuar, mes të cilëve 21,647 janë djem dhe 1,729 vajza.
Gjatë këtij sezoni janë organizuar 26 kampionate kombëtare në të gjitha grupmoshat, përfshirë 22 për djem dhe 4 për vajza, me pjesëmarrjen e 319 ekipeve në total, nga të cilat 284 janë skuadra djemsh dhe 35 vajzash.
Janë zhvilluar gjithsej 2783 ndeshje zyrtare, ku janë angazhuar 85 delegatë dhe 58 vëzhgues. Gjatë këtij edicioni, në të gjithë kampionatet kanë gjykuar 330 arbitra.
Për të katërtin sezon radhazi, sistemi VAR është aplikuar në të gjitha ndeshjet e kampionatit “Abissnet Superiore”, duke u përdorur në 185 ndeshje. Sakaq, ky sistem është aplikuar edhe në 33 ndeshje të Kategorisë së Parë, që përbën rreth 30% të totalit të këtij kampionati.