Vllaznia do të presë në “Loro Boriçi” Bylisin, të dielën në orën 16:30. Sfidë kjo e cila është e vlefshme për javën e 16-të të Superiores. Fati nuk i ka “buzëqeshur” në sfidat e fundit pasi në 5 ndeshje ka fituar vetëm njëherë.
“Ngërçi” që po kalon ekipi vjen për arsye të ndryshme, por në një linjë më të ngushtë kritike, duhet parë dhe forma e sulmuesit kryesor, Bekim Balaj. Edhe pse ky i fundit e nisi kampionatin me “vrull”, javëve të fundit ka rënë në “qetësi”.
Konkretisht në 4 ndeshjet e Vllaznisë, shënuesi më i mirë i Superiores, Balaj ka bërë vetëm një gol. Ky në përballjen me Dinamon në 8 nëntor. Ekipi shkodran ka përpara sfida në të cilat duhet të bëjë mrekullinë në rezultate.
Por nëse Balaj s’ia del dot të ndryshojë vetveten, mundësia për ndryshime në merkaton e janarit mbetet një opsion në listën e trajnerit, Edi Martini.
