
Luftëtari është klubi i parë dhe i vetëm që ka bërë analizat e lojtarëve nëse janë të infektuar ose jo me COVID-19. Këtë e ka bërë me dije drejtori i klubit Artur Dadaj që ka treguar se ditën e djeshme, të gjithë futbollistët kanë kryer testet.
Sipas tij tamponët janë mundësuar nga spitali i Gjirokastrës. Edhe pse qyteti i Gjirokastrës është klasifikuar si zonë e gjelbër, shumë prej futbollistëve që përbëjnë organikën e Luftëtarit vijnë nga zonat e kuqe.
“Të hënën kemi kryer testet për të gjithë lojtarët, të bërë nga spitali i Gjirokastrës”, ka deklaruar Artan Dadaj për Report TV.
Edhe pse në takimin e bërë mes përfaqësuesve të FSHF-së dhe Komitetit të Ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë u vendos që mos të kishte tampona, klubi i Luftëtarit ka zgjedhur t’i kryejë ato për lojtarët e vet për t’u siguruar për vazhdimësinë.