
Skënderbeu u mposht në transfertë nga Dinamo në duelin direkt për “Final – Four”. Një humbje sigurisht që dhemb në Korçë, pasi tashmë rrezikojnë të dalin jashtë top-4 nëse “Blutë” e Dritan Mehmetit ditën e nesërme fitojnë ndaj Teutës.
Por më shumë se sa për rezultatin, stafi i “Ujqërve të Dëborës” është i mërzitur për mënyrën se si zhvilluan lojën. Ivan Gvozdenovic nuk ka humbur kohë dhe ka nisur menjëherë me përgatitjet për duelin e radhës që do ta luajnë në kampionat ndaj Tiranës.
Por përpara se të kalojnë të direktivat për sfidën me kryeqytetasit, trajneri serb ka “shkundur” mirë lojtarët para stërvitjes. Serbi ka psur kritika për të tijtë dhe ka kërkuar që në sfidat e mbetura të japin më shumë se maksimumi, pasi në të kundër do të rrezikojnë të çojnë dëm një sezon të tërë.
45-vjeçari kërkon që skuadra të mos ketë eufori dhe të luftojnë për çdo cep të fushës në çdo ndeshje. Nëse do të ketë sërish gabime në sfidat e radhës nuk do të ketë tolerime. Gvozdenovic ka kërkuar gjithashtu që skuadra të jetë më e kujdesshme në prapavijë dhe të jetë e mirëpërgatitur pr të përballur një nga 7 finalet e mbetura të këtij sezonit.
Kujtojmë se sfida me Tiranën do të luhet më ditën e hënë në orën 18:00 në Korçë. Sfidë kjo e vlefshme për javën e 30-të të Superiores dhe cilësohet si një duel direkt për “Final – Four”, ku 3 pikët janë më shumë se të detyrueshme për korçarët.