
Adolfo Sormani ka folur pas eleminimit nga Kupa e Shqipërisë. Edhe pse të kuqtë fituan 3-1, humbja me 3 gola diferencë në sfidën e parë, i ktheu në shtëpi kryeqytetasit duke mbyllur këtu rrugëtimin.
Trajneri italian është shprehur i lumtur me atë që ekipi i tij dha sot në fushë, por jo me faktin e eleminimit. Në prononcimin për mediet, ai ka deklaruar:
"Eliminimi ka ardhur për shkak të ndeshjes së parë pasi pësuam 3 gola në sfidën e parë. Sot kemi bërë gjithçka. Kemi krijuar volum të madh loje, kemi krijuar shumë raste. Megjithatë mendoj se gjithçka është komplikuar në ndeshjen e parë. Nëse do të arrinim të merrnim një rezultat tjetër, sot do ta kishim më të lehtë.
Sulmi? E rëndësishme është që skuadra të krijojë raste. Rastet sot, fatmirësisht i kemi krijuar, por nuk kemi arritur të realizojmë. Sulmuesve mendoj se duhet t'i japim kohë për të gjetur atë qetësinë e tyre. Me kalimin e kohës edhe ata do të arrijnë të konkretizojnë rastet që i shfaqen skuadrës.
Ne do të shohim gjithmonë për ndeshjet e radhës. Skuadra në fushë ka qenë sot e ekuilibruar. Në të vetmin rast që jemi ndëshkuar, do ta konsideroja si sporadik. Kundërshtari nuk na goditi asnjëherë sot", ka përfunduar ai. /Newsport.al/