Lulzim Bershemi s’është një emër i panjohur në futbollin shqiptar. Ai së bashku me Arvid Hoxhën u arratisën nga hoteli në Athinë në vitin 1987, duke bërë që sistemi komunist i asaj kohe të vendosej në alarm, teksa shumë persona e pësuan nga ky veprim.
Ishte 1 nëntori i vitit 1987 kur Vllaznia e futbollit u nis për ndeshjet evropiane në Finlandë, në përballjen e Helsinkit. Fill pas aktivitetit, lojtarët u kthyen në Athinë, duke kaluar natën në një prej hoteleve të kryeqytetit grek, për të pritur të nesërmen dhe ndërrmarë rrugën për në Tiranë.
Pikërish nën hundën e sigurimit që i kontrollonte pas çdo hapi, Lulzim Bershemi dhe Arvdi Hoxha u arratisën nga hoteli dhe shkuan në ambasadën e Ish-Jugosllavisë në 6 nëntor, duke kërkuar azil politik.
Në lidhje me pasojat, jetën e re në Greqi, premtimin mes njëri – tjetrit për mos tradhti apo edhe vuajtjen e të qenit larg familjes, Bershemi është rrëfyer në një intervistë të gjatë për mediet greke.
"Për miqtë e Panionit, në fund të viteve 80-ta ishte i preferuari i tyre “Loulis”. Për futbollin grek, një nga të huajt më fantastikë që kalonte në stadiumet e Kategorisë së Parë në atë kohë. Një simbol për Shqipërinë! E mësuam si Lulzim Bershemi, 35 vite pas ardhjes së tij në atdheun tonë, zbulon për herë të parë emrin e tij të vërtetë dhe të gjitha detajet e arratisjes tronditëse nga vendlindja që supozohej ta klasifikonte në histori si “i pari".
“Një sportist shqiptar që theu prangat e Hoxhës dhe arriti të garojë jashtë vendit”, thuhet në fillim të rrëfimit.
Një histori që “kundërshton” skenarin më të mirë të filmave thriller me spiuna. Prej rreth 35 vitesh vetëm spekulohej sesi ai ja doli të “shpëtonte” me shokun e skuadrës. Tani, megjithatë, ai ka vendosur ta rrëfejë vetë këtë aventurë, e cila përfshin arratisjen nga hoteli, drejtimin në një ambasadë tjetër shtetërore, ngatërrimin e shërbimeve sekrete të të paktën tre vendeve, arratisjen me xhipa të zinj, përndjekjet dhe tentativat kundër jetës së tij që është një skenar për një film. Ai mund të mos ketë shkuar në Amerikë, ku ishte synimi i tij parësor. Por mund të arrijë tani përmes... Hollywood. Askush nuk mund ta dijë.

– Lulzim, fillimisht dua të më sqarosh pse e shkruan emrin tënd si “Bersemi”, ndërsa të gjithë të njohim si "Berseni".
- Ky është mbiemri im. Unë e kam me "m". Por mesa duket atëherë ndonjë gazetar e ngatërroi "m"-në me "n" që është afër dhe Bersemi mbeti. Tani i dëgjoj të dyja, por në thelb e kam me "m".
- Pra, e sqaruam këtë, le të shkojmë tani për të kapur historinë tuaj nga fillimi.
- Unë luaja te Vllaznia dhe kishim fituar biletën për të luajtur në Kupën e Kupave. Në verën e atij viti luajtëm një lojë miqësore në Mal të Zi me Buducnost. Në atë kohë në këtë skuadër luante i madhi Dejan Savicevic, i cili më pa dhe pas përfundimit të ndeshjes u tha njerëzve të tij që të bënin gjithçka për të më marrë. Njerëzit e Buducnostit bënë një propozim, por drejtuesit e ekipit tim u përgjigjën se "lojtarët nuk janë vetura për t'u shitur". Por që nga ai moment më lindi mendimi që të bëja diçka për të ikur nga Shqipëria sepse e pashë që nuk mund të realizoja ëndrrat e mia. Kam pasur paraqitje edhe nga ekipet kombëtare. Aty kam parë si ishte pjesa tjetër e Europës, ndërsa ne ishim shumë prapa.
– Jeni bërë herë të tjera “subjekt” diskutimi?
-Po, kishim luajtur edhe me kombëtaren e Francës dhe njerëz nga federata franceze më thanë gjithashtu se donin të më merrnin të luaja për një ekip francez. Por megjithatë njerëzit e federatës shqiptare nuk më lanë.

- Pra, ju ngadalë filluat të mendoni për mënyrën se si do ta arrini qëllimin tuaj për t'u larguar.
-Në Shqipëri gjërat ishin të vështira. Regjimi komunist nuk u la liri qytetarëve. Ndaj ne që pamë se çfarë po ndodhte në pjesën tjetër të Evropës, menduam se si mund të largoheshim. Nuk ishte aspak e lehtë. Nuk dija kujt t'i besoja dhe kujt jo. Nëse rrezikoja vetëm të thoja diçka mund ta pësoja, sepse vetë miku apo edhe vëllai juaj mund t'ju tradhtonte.
– Në fund i besove Arvit Hoxhës dhe bëre ëndrrën tënde realitet, por pse zgjodhët Athinën?
- Mos mendoni se gjërat ishin të lehta me Hoxhën. Para se të bënim atë që bëmw, i betuam njëri-tjetrit se askush nuk do ta “shiste” tjetrin. Dhe ne u betuam duke i vënë një thikë në qafë njëri-tjetrit. Tani sa për Athinën që më pyete dhe këtu më duhet të të them se Athina doli gjatë rrugës si destinacioni ynë.
- Pra, kishit provuar më parë?
-Fillimisht donim të shkonim në Maltë, kur luajtëm me Sliemën. Por shqiptarët kishin frikë se mund të largohesha. Kisha bërë fituar emër në vendin tim dhe isha votuar si më i miri në ligë.
Kështu që në hotel kishte shumë siguri nga ambasada shqiptare dhe kuptuam që na ruanin disa agjentë sekretë. Pastaj luajtëm në Finlandë me Rovaniemin. Aty biseduam me një gazetar dhe i kërkuam informacione. Gazetari na tha se për shkak se qeveria e atëhershme finlandeze ishte në thelb e majtë, ekzistonte rreziku që të na ekstradonte në Shqipëri. Kur u larguam nga Finlanda, ndaluam në Hungari.

- Ju keni dalë nga hoteli natën, por deri më sot nuk dihet se ku keni shkuar, ku jeni fshehur.
-Historia jonë është shkruar, por askush nuk e ka mësuar saktësisht se si ndodhi dhe këtë dua ta them sot. E kishim parë që rreth 200 metra ishte ambasada e Jugosllavisë së atëhershme. Ne dinim edhe serbisht dhe gëzimi i tyre ishte i papërshkrueshëm. Unë kisha rrënjë dhe në Mal të Zi sepse mbiemri im është "Jahic", por e ndryshuan kur shkuan në Shqipëri në "Bersheni".
Jugosllavët dhe shqiptarët nuk i kishin marrëdhëniet më të mira, ndaj ne e dinim se ata do të na prisnin mirë atje. Zbritëm në recepsion dhe pamë që agjentin që na ruante në hyrje e kishte zënë gjumi. Pastaj dolëm nga hoteli dhe shkuam në ambasadën jugosllave. Nuk qëndruam jashtë. Na pranuan menjëherë. Me shumë gëzim dhe kërkuam azil politik. Jugosllavët njoftuan autoritetet greke dhe mbaj mend që erdhi menjëherë përfaqësuesja, e cila na dha garanci se nuk do të na dorëzonte. Erdhën tre xhipa të zinj dhe dolën njerëz me automatikë për të na marrë. Kjo është. Ja dolëm. Ishte 6 nëntor dhe sigurisht që është dita që nuk do ta harroj kurrë në jetën time.
– Duhet të ketë qenë një humbje e madhe për Shqipërinë atëherë. Kam lexuar se janë shoqëruar njerëz, janë shkarkuar të tjerë nga Vllaznia, por edhe familjet tuaja kanë pasur probleme të mëdha.
- Kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Gjithçka që thua. Vetë familja ime vuajti. Ndërsa ishin njerëz të mirë dhe paqësorë, i internuan nga Shkodra në një fshat malor, ku edhe pulat hanë gurë për të mbijetuar.
Nuk kishte asgjë. Komunistët i dërgonin atje ata të internoheshin. Vite më vonë mësova se vendimin e kishte marrë kryetari i bashkisë dhe ndërsa të tjerët i thanë të mos e bënte, sepse familja ime nuk është fajtore për vendimin tim. Ai ishte i bindur. Donte ta bënte këtë për të dhënë shembull për të tjerët. Por njerëzit më kishin bërë tashmë hero dhe me ikjen tonë në thelb hapëm rrugën që fëmijët e tjerë të ndiqnin dhe të gjenin fatin e tyre.

- Pra autoritetet greke ju pritën dhe më pas çfarë ndodhi?
- Na çuan në qendrën e atëhershme të emigrantëve në Lavrio. Aty policia na tha të bënim kujdes dhe na futën diku ku kishte rumunë dhe bullgarë dhe jugosllavë, por edhe kurdë. Aty, pasi historia jonë u bë e njohur dalëngadalë, na gjeti presidenti i Vorio Epirit, zoti Gikas dhe na ndihmoi shumë. Në fakt, ishte ai që na rregulloi. Dhamë intervista si për CNN ashtu edhe për BBC, sepse atëherë Shqipëria ishte një vend i mbyllur, si Koreja e Veriut tani dhe ndoshta edhe më shumë dhe të gjithë donin të dinin gjërat. Disi u bëmë edhe të famshëm.
– Pas gjithë kësaj, si lindi Panionios dhe si e nisët karrierën në Greqi?
- Ishte një aventurë. Asgjë nuk ishte e lehtë (qesh).
- Kjo është?
-Madje zoti Gikas na mori nga Lavrio dhe na çoi në një hotel. Që aty nisi të bëhej e njohur historia jonë madje dhamë një intervistë për “Athletiki Echo”.
Një burrë më tha se mund ta provoja te AEK. Një ditë na tha se do të kalonte një makinë për të na marrë për stërvitje. Na lajmëroi recepsioni. Zbritëm dhe pamë tre veta që na prisnin. Na futën brenda dhe arritëm në një ndërtesë të madhe. U ngjitëm në katin e fundit dhe aty mësuam se më në fund po bisedonim me njerëzit e Panionit. Nuk e di si, por presidenti i atëhershëm Gerasimos Ventouris, kishte marrë vesh për ne. Na morën dhe na çuan në zyrat e tij. Ai kishte edhe një përkthyes atje dhe më në fund na bindi dhe firmosëm për Panionios.

- Që atëherë, e keni gjetur qetësinë tuaj?
- Me futbollin po, por në Shqipëri nuk e thanë që ne kishim lënë rrugën që u nisëm dhe ndodhnin gjëra të ndryshme. U bënë përpjekje kundër meje.
- Çfarë do të thuash?
- Një herë ishim në stërvitje me Hoxhën dhe na goditi një makinë. Gjithçka që mund të shihnim ishte se ai kishte targa diplomatike. Mund të ketë qenë ose jo një rastësi. Por një herë tjetër më ndaloi një xhip dhe dolën njerëz të armatosur që flisnin shqip. Arrita të reagoj dhe kështu shpëtova.
- Si reaguat?
- Nuk bën ta shkruajmë(qesh). Megjithatë, të dyja herë kam informuar Panionios dhe në fakt herën e dytë, Panagiotis Amanitis në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme i kanë dërguar një mesazh ambasadës shqiptare dhe i kanë informuar se nëse pësojmë diçka do të mbajnë përgjegjësi.

- Pse e ke akoma problem? A nuk kanë ndryshuar gjërat?
- Po, akoma. Nuk do t'ju them shumë, por vetëm se në thelb mentaliteti mbetet i njëjtë. Mund të duket se një vend po del nga e kaluara komuniste dhe nuk po flas vetëm për Shqipërinë, por edhe për Rusinë për shembull, por njerëzit që e drejtojnë në fakt vijnë nga ajo periudhë dhe mentaliteti nuk ka ndryshuar plotësisht.
- Kemi kaq kohë që flasim dhe nuk kemi thënë asgjë futbollistike për karrierën tuaj në Greqi. Më tregoni për veten tuaj, çfarë ishte Panionios?
- Familja ime, siguria ime. Këtu gjeta njerëz që ishin vërtet si familje. Ata u bënë familja që kisha lënë pas në Shqipëri dhe ishin pranë meje në çdo moment. Në Nea Smyrni, dikush mund t'i bjerë ziles vetëm për t'ju përshëndetur apo për të ardhur për t'ju bërë shoqëri. Këtë gjë nuk e kam parë askund tjetër.

- Në përgjithësi keni qenë argëtues, të pëlqente të dilje dhe të kaloje natën?
- Isha një fëmijë i vogël dhe sigurisht që e doja jetën. Veç kësaj, kam pasur sugjerime nga Janina dhe Panaitoliko, por vërtet nuk doja të largohesha nga Nea Smyrni. Atëherë nuk e dija se çfarë do të thotë futboll profesionist.
- Keni menduar që në fakt nuk kemi bërë një intervistë, por a më keni përshkruar një histori që mund të shndërrohet lehtësisht në film?
– Në Shqipëri më kanë kërkuar ta bëj libër apo film. Sepse në thelb edhe sot njerëzit më thonë që ua kam hapur derën fëmijëve të tjerë që të mund të jetojnë ëndrrën e tyre. Në fakt, marr mesazhe nga njerëz që më bëjnë urime. Dhe të mendosh që nuk të thashë me detaje, përndryshe do të duhej të shkruash me ditë(qesh). Ndoshta në të ardhmen, tani që kam vendosur të “dal nga guaska” mund ta bëjmë. Kurrë s’i dihet.