
Një sasi tritoli ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të së enjtes në garazhin e biznesmenit shkodran Agim Uraj. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale dhe panik te banorët e lagjes “10 Korriku”.
Biznesmeni Uraj ka mohuar para hetuesve të kishte konflikte dhe gjithashtu në qytetin e Shkodrës njihet si një person pa probleme.
Strukturat hetimore te Komisariatit të Policisë Shkodër kanë arritur të zbardhin ngjarjen dhe kanë shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar. Neësbomb.al mëson se ata janë ish-futbollistët Seadet Myftia dhe Zabit Mehmedaj.
Nga këqyrja e provave në vendngjarje dhe kamerave në aksin rrugor përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe identifikimi i dy ish-futbollistëve.
Gjithashtu, nga këto veprime dyshohet se Seadet Myftia dhe Zabit Mehmedaj janë larguar nga vendi i ngjarjes, me një motomjet të vjedhur në qytetin e Shkodrës, pak para ngjarjes. Ata rezultojnë se kanë qenë të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës.
Njoftimi i plotë – Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër:
Strukturat hetimore te Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ato të DVP Shkodër dhe me Prokurorinë e Shkodrës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në lagjen “10 Korriku”, Shkodër, ku në derën e garazhit të automjeteve, në pronësi të shtetasit A. U., shpërtheu një sasi lënde plasëse (me pasoja vetëm dëme materiale), kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në aksin rrugor përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe identifikimi i 2 autorëve të dyshuar të saj. Gjithashtu, nga këto veprime dyshohet se 2 autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes, me një motomjet të vjedhur në qytetin e Shkodrës, pak para ngjarjes.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpallën në kërkim shtetasit S. M, 27 vjeç dhe Z. M., 27 vjeç, të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës.
Vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Vjedhja”.