Më 3 nëntor të 2016-ës, klubi i Partizanit shpalli "non grata" gjyqtarin Enea Jorgji, direkt një ditë pas ndeshjes kundër Skënderbeut në "Elbasan Arena".
Që prej asaj sfide, arbitri nga Elbasani nuk kishte gjykuar asnjë ndeshje të të kuqve në këtë sezon.
Por, sot Jorgji u rikthye "të vendoste drejtësi" në kuptimin e plotë të fjalës në sfidën Partizani-Vllaznia.
Një 11-metërsh në minutën e 89-të të akorduar për të kuqtë pas faullit të Bicit ndaj Ekuban, penallti që u shndërrua në gol nga Batha.
Sigurisht një faull që nuk kishte diskutim që ishte i tillë, ndërsa gjyqtari Jorgji vendosi të "mos e kursente" për të treguar dorën drejt pikës së bardhë. Një moment vendimtar, i fituar me të drejtë nga Ekuban, moment që mban Partizanin në ritmin e Kukësit në "luftën" për titull kampion.