Vllaznia luan të enjte në 21:00 me Shiroki Brijeg në transfertën boshnjake. Ndeshja që vlen për turin e parë të Conference League është komentuar edhe nga trajneri i shkodranëve, Thomas Brdaric. Kroato-gjermani ka treguar se të tijtë janë gati, ndërsa blerja e bujshme, Liridon Latifi do e nisë nga stoli.
“Vllaznia e meritoi rikthimin në Kupa e Europës, pasi kemi punuar shumë. Tani jemi rikthyer në kualifikuese. Nuk duhet vetëm ta shijojmë këtë situatë ku ndodhemi, duhet të jemi shumë studiozë dhe shumë të kujdesshëm, në mënyrë që të fitojmë.
Ndryshimet në skuadër? Pati ndryshime, pasi jemi në një proces punë që vazhdon. Është gjithmonë e vështirë të gjesh lojtarë dhe mendoj se kemi bërë zgjedhje të mira. Mendoj se grupi është i mirë, mund të jemi kompetitivë për këto ndeshje.
Jemi gjithmonë gati, në pëlqen të luajmë. Kemi shumë pritshmëri, por duhet të jemi të kujdesshëm, pasi është një eksperiencë e re për secilin prej nesh. Duhet të jemi shumë të përgatitur, jemi gati të duelojmë me Shiroki Brijeg. Do të jetë një ndeshje e bukur.
Çfarë do i them lojtarëve përpara ndeshjes? Kemi punuar si profesionistë që prej ditës së parë. I kam dhënë lojtarëve të mi më të mirën, për t’i kuptuar se si do luhet loja dhe si duhet arritur vëmendja se si një profesionist duhet të ketë për çdo ndeshje.
Latifi? Ai do e nisë ndeshjen nga stoli, unë do fus 11 lojtarët më të mirë në lojë. Kemi mundësi të mira për të ndryshuar gjatë lojës. Gjendja fizike e tij është e mirë, por duhet të punojë më shumë që të përshtatet me ekipin.
Duhet t’u japim lojtarëve të afruar më shumë kohë, shumë prej tyre nuk kanë luajtur shumë, kështu që nuk mund t’i fusim direkt në lojë. Latifi është një lojtarë me eksperiencë të madhe, ai ka dëshirë, ka pasion, më pëlqen shumë qëndrimi i tij.
Ndeshja e parë jashtë dhe goli në fushën kundërshtare? Më pëlqen ky ndryshim i rregullores, do shohim më shumë futboll sulmues. Do të jetë më shumë duel sportiv sesa taktik. Më pëlqen ky fakt. Duhet të jemi të kujdesshëm gjatë gjithë takimit, që të shfrytëzojmë gabimet e kundërshtarit. Do jetë ndeshje e balancuar, nuk i jap avantazh askujt.
Mungesa e tifozëve? Mendoja se do të kishim tifozë në këtë ndeshje, sa keq që nuk do lejohen. Më vjen keq, pasi shumë prej tyre kanë rezervuar dhe tani do duhet të anulojnë udhëtimin në Bosnje. Jam i sigurt që do na mbështesin nga televizioni”, tha Brdaric.