Menjëherë pas fitores me Rumaninë, Paolo Tramezzani, zëvendëstrajneri i Kombëtares ka zbuluar emrat e lojtarëve kuqezinj që mund të luajnë në Serie A sezonin e ardhshëm. Sa i përket kualifikimit, nuk varet më nga Shqipëria, por ai kërkon ndihmë nga Italia dhe shtetet e tjera të cilat mund t’i mundësojnë kualifikimin më tej kuqezinjve. Bashkëpunëtori i Gianni De Biassit për “Radio Sport Italia” ka pohuar këto fjalë:

“Ne jemi shumë të kënaqur me këto tri ndeshje të luajtura, të gjithë janë kundërshtarë shumë më të fortë në letër. Jemi një ekip me zemër të madhe, që kurrë nuk heq dorë. Kjo përvojë do të na bëjë të rritemi. Nuk do të jetë e lehtë për të ecur përpara, sepse kjo varet nga të tjerët. Ne vetëm mund të presim. Shpresoj edhe tek Italia, që mund të na japë një dorë. Jemi të lumtur që puna e trajnerit De Biazi është bërë e njohur edhe jashtë vendit tashmë. Kemi lojtarë me cilësi, që garantojnë një të ardhme të mirë. Doni emra? Roshi, Kaçe dhe Cikalleshi, janë emrat e ardhshëm, të denjë për ekipe të nivelit të lartë. Ndoshta do t’i shohim ato në Itali”.