
Mirsad Jonuz mund të largohet nga Vllaznia. Trajneri i cili arriti të formonte një skuadër kompakte ka deklaruar për mediet maqedonase se mund t’i japë fund aventurës në Shkodër, nëse situata vijon të mbetet kaotike për shkak të rrogave.
Në një intervistë të dhënë për “sportmedia.mk”, ai është shprehur se ka kontratë me kuqeblutë deri në 31 maj. Nëse futbollistët s’do të paguhen, ka kërcënuar se do të largohet nga drejtimi i shkodranëve.
“Është e vërtetë që gjërat nuk janë ashtu si ne duam dhe në fakt duhet të jenë për një klub si Vllaznia. Ka probleme dhe po kërkohet një mënyrë mes palëve për të gjetur një kompromis. Nëse nuk zgjidhet gjë, është e lehtë për mua, sepse jam profesionist. Kontrata ime me Vllazninë zgjat edhe 5 ditë të tjera, pra deri më 31 maj.
Pas kësaj date unë jam i lirë, kështu që në rast se gjërat bëhen më mirë, do të mund të flisnim me klubin për zgjatjen e kontratës. Nëse situata nuk ndryshon, atëherë e dimë se çfarë do të ndodhë. Pas 31 majit unë nuk kam asnjë detyrim ndaj Vlaznisë”, ka thënë ai.
Momentalisht, Jonuz gjendet në Shkodër por s’mund të stërvisë ekipin pasi duhet të qëndrojë edhe disa ditë i mbyllur për të respektuar rregullat e vëna nga shteti shqiptar për të gjithë ata që kthehen nga shtetet e huaja, si masë për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.