
Julian Ahmataj ka folur para ndeshjes kundër Skënderbeut. Trajneri i Tiranës, në një prononcim për mediet ka deklaruar se ekipi i tij nuk është ende në formën që ai pret, megjithatë thekson se në Korçë do të shkojë vetëm për fitore.
I bën thirrje lojtarëvë që të largojnë presionin te vetja, por gjithashtu mjaftohet duke thënë: "Është krijuar një tollumbace që ne sikur do bëjmë namin me Skënderbeun".
- Profesor, pas
ndeshjeve të Kombëtares duket se ky është momenti i duhur për Tiranën për të
rikuperuar lojtarët dhe për t'i përshtatur sipas skemës suaj?
Është e vërtetë që kjo fazë na ka shërbyer shumë, por nuk janë gjërat aq të
thjeshta sa duken nga jashtë. Dhe unë jam i shqetësuar për problemin që para çdo
ndeshje te Tirana krijohet një tollumbace që sikur i fusim një shuplakë të
rinjve dhe do të bëjmë namin kundër Skënderbeut. Ne nuk jemi në këtë situatë.
Kemi pasur probleme me dëmtimet. Shumë futbollistë kanë qenë pjesë e Kombëtares
dhe është stërvitur një pjesë e mirë e grupit. Do të ndihmojnë dhe do të
kontribuojnë, pastaj do të shohim se ku jemi sepse asnjëri nga ne nuk pretendon
që në pak kohë të ndërtojë një lojë brilante ose një skuadër të fortë. Por, do
të japim maksimumin do të jetë e sigurtë. Kemi pasur dhe dëmtime, që disa prej
lojtarëve kanë një kontroll të fundit te ortopedi me spitalin ku kemi kontratë.
Më pas do të shohim se si do të jetë.
- Ju shqetëson
gjendja fizike e Ngoo-së dhe e Dungës?
Pikërisht për këta lojtarë bëhet fjalë që do të kenë një kontroll mjekësor.
Ata kanë pasur dëshirë për t'u stërvitur dhe kanë treguar profesionalitet duke dhënë
maksimumin pavarësisht se problemet e tyre shëndetësore kanë qenë evidente.
Por, janë munduar të japin maksimumin.
- Si do ta mbuloni ju
këtë problem?
Jo vetëm në këtë situatë, por ne duhet të zgjedhim dhe alternativa të tjera
në sulm që mos të jemi të varur nga një lojtar. Pra kemi shumë lojtarë që mund
të luajnë shumë mirë në vijën e parë të sulmit.
- Me Skënderbeun, objektivi është
fitorja?
Në asnjë ndeshje ne nuk hyjmë për t'u barazuar ose për ta humbur atë. Ne
hyjmë në çdo sfidë për ta fituar. Kjo është ajo që ne kemi pasur, ka dhe ka
pasur ky klub gjatë gjithë historisë së tij.
- Mungesat mund të iu
justifikojnë?
Nuk ka justifikime për rezultatet. Për rezultatet mbaj vetëm unë përgjegjësi.
Futbollistët mbajnë përgjegjësi vetëm për të dhënë maksimumin në fushën e lojës.
Për rezultatet negative do të jem unë që do të mbaj përgjegjësi. Futbollistët t'i
heqim nga kjo përgjegjësi për t'i hequr presionin.
- A është skuadra aty ku duhet?
Çdo skuadër ka nevojë për përmirësim. Ne kemi nevojë shumë për t'u përmirësuar.
Ai vjen me orë pune dhe jo me fjalë, nuk vjen me media, nuk vjen me gazetë. Po
ta shikoni jemi shtruar mirë me punë.
- Sa i bindur jeni që Hasani mund ta mbulojë mirë rolin e sulmit?
Hasani ka bërë shumë mirë kur është shfaqur në linjën e parë të sulmit dhe është golashënues i mirëfilltë i kampionatit shqiptar dhe mund të na ndihmojë shumë në këtë aspekt. /Newsport.al./