
Kukësi do të luajë nesër kundër Teutës, ndeshje e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Ky takim do të zhvillohet në orën 20:45 dhe siç e do zakoni, një ditë para sfidës ka folur për kanalin zyrtar të klubit, trajneri Orges Shehi. Ai vlerëson kundërshtarin dhe për të e rëndësishme është të mbajë portën të paprekur.
"Është ndeshje e rëndësishme, është gjysmëfinale. Luajnë dy ekipe që janë në pjesën e sipërme të klasifikimit, me ambicie.
Luajmë ndaj një kundërshtari që po paraqitet mirë kohët e fundit. Pra është një ndeshje e rëndësishme dhe e kemi përgatitur mirë, në mënyrën e duhur, duke marrë parasysh që nuk mbaron asgjë nesër dhe ka edhe ndeshje kthimi.
GOLI - Nesër është e rëndësishme të jemi të kujdesshëm, të jemi në ekuilibër, pasi ka edhe një ndeshje tjetër, siç thashë edhe më parë. Kemi vështirësi, pasi luajmë çdo tre ditë. Skuadra ka ngarkesë, është i njëjti grup lojtarësh, me 2-3 ndryshime. Këto ditë jemi munduar ta riaftësojmë dhe freskojmë skuadrën, që të jemi gati për ndeshjen e Kupës".
OBJEKTIVI - Jam trajner dhe duhet ta përgatis skuadrën për të fituar çdo ndeshje. Nuk jam zyrtar klubi të them nëse është apo jo Kupa shpëtimi i sezonit. Tekniku flet për ndeshjen në anën teknike. Është një trofe i rëndësishëm për ne, sikurse edhe kampionati. Do luftojmë deri në fund,kur të mos kemi mundësi matematike. Në kupë janë dy takime që të çojnë në finale dhe i vlerësojmë maksimalisht", ka përfunduar ai.