Buzëqesh Armando Broja. Pas stuhisë lind gjithmonë dielli. E kështu duket se po ndodh dhe me sulmuesin e Kombëtares sonë. Pas dëmtimit të pësuar në Amerikë gjatë fazës përgatitore, lojtari kuqezi është rikthyer në stërvitje me Chelsea-in.
Por, lajmet e mira nuk përfundojnë këtu. Së fundmi, mediet angleze bëjnë me dije se Timo Werner është pranë largimit. Ofertat e ardhura në drejtim të tij ku klube të ndryshme janë gati të paguajnë 50 milionë euro, kanë bindur drejtuesit londinezë si dhe trajnerin Thomas Tuchel që ka dhënë “OK” për largimin e lojtarit nga “Blutë e Londrës”.
Në këtë mënyrë, Armando Broja është i vetmi qendërsulmues tipik në dispozicion për trajnerin e skuadrës angleze. Thomas Tuchel pati deklaruar se e do shqiptarin në skuadër, pavarësisht ofertave të shumta në drejtim të tij.
Me largimin e Lukakut te Inter si dhe shitjen e Timo Werner, hapësirat për Brojën në fazën ofensive tashmë duken se do të jenë të shumta. Sulmuesi shqiptar është gati të marrë rolin e protagonistit te gjigantët europianë.