Partizani fitoi një tjetër ndeshje në minutën e fundit teksa mposhti Laçin në transfertë me golin e Taipit. Të kuqtë marrin 3 pikët e rradhës dhe nuk i ndahen Egnatias në krye të renditjes. Pas ndeshjes, drejtori me kostumin e trajnerit, Arbër Abilaliaj dha prononcimin e tij për MCN.
“Tjetër fitore në fund? Duhet të korigjojmë kualitetin në metrat e fundit. Cara dhe Bintsouka patën raste flagrante. Do vuanim këtu dhe e dinim. Më vjen mirë që kemi rregulluar kompaktësinë dhe ishin afër me njëri-tjetrin. Përveç goditjeve nga korne e me goditje standarte, Laçi nuk pati ndonjë mundësi tjetër.
Kishim vështirësi për të imponuar lojën tonë pasi shumë lojtarë nuk janë në gjendjen maksimale fizike. Murataj, Mehmeti, Sembene. Nuk ishte loja më e mirë por ishte zgjedhje e jona kështu. Laçi donte medoemos pikët. Më kënaq që nuk pësuam por i dëshpëruar që humbasim raste flagrante, një ekip që do titullin nuk duhet të jetë kështu.
U munduam të bënim presion lart për ta cuar lojën në ajër aty ku është pika më e fortë e jona. Në pjesën e parë humbëm të gjithë topat e dytë dhe na detyroi të ndryshonim në pjesën e dytë. I gëzohemi faktit që u mbruam siç duhet dhe 3 pikëve shumë të rëndësishme, pikë të arta që konsolidojnë objektivin e ekipit që është titulli kampion.”