Ndër klubet që do të bëjë revolucion në merkaton e janarit është edhe Tirana. Bardheblutë nuk e kanë patur ‘zakon’ për t’u futur fuqishëm në merkaton e janarit duke ndryshuar pjesë të rëndësishme të grupit, por ky sezon u ka dalë nga pritshmëritë drejtuesve.
Nga skuadra u largua lideri Florent Hasani, ndërsa me valixhe në duar është edhe Ardit Hila. Shitja e Hasanit mbushi arkat me 300 mijë euro, por la një boshllëk të madh sa i përket fushës së lojës. Zëvëndësimi i golashënuesit më të mirë të Superiores është i detyruar, por e vështirë.
Bardheblutë kanë piketuar të duhurin dhe ai quhet Drilon Hazrollaj raporton shtypi i shkruar. Ashtu si Hasani, edhe Hazrollaj është shqiptar i Kosovës dhe aktualisht luan me ekipin e Malishevës ku po shkëlqen në kampionatin dardan. Vetëm 19 vjeç dhe numëron 8 gola e 5 asiste deri tani duke u shpallur edhe Talenti i Vitit.
Hazrollaj luan si anësor i majtë dhe gjuan me të majtën, njëjtë si Hasani. Talenti ka një kontratë deri në qershor 2025 me Malishevën dhe vlera e tij në Transfermarkt kap shifrën 400 mijë euro e është akoma në rritje. Pritet një garë e fortë në merkato për shërbimet e tij pasi Ballkani ka nisur gjithashtu negociatat.
[caption id="attachment_716202" align="alignnone" width="900"] Drilon Hazrollaj[/caption]