Tirana mori një fitore me përmbysje përballë Skënderbeut teksa i mposhti me rezultatin 3-1 në Selman Stërmasi. Bardheblute marrin 3 pikë të tjera që e ngjisin në vendin e parë të tabelës. Pas ndeshjes, trajneri Orges Shehi foli për MCN TV.
Kishim agresivitetin e duhur edhe pse e nisëm me gol të pësuar. Skënderbeu na vuri në vështirësi. Gjatë lojës ndryshuam pasi nuk ishim të qartë për kundërshtarin. E rëndësishme është që kthyem rezultatin dhe morëm 3 pikët. Agresiviteti duhet të jetë prezent gjithë kohës, pasi futbolli luhet edhe pa top.
E prisnin të kishim vështirësi, zgjedhja taktike ishte me Kaina në sulm për të shfrytëzuar kroset e për të realizuar golin. Duhet të kuptonim zonat, kur do ta gjenim Kainan për të ulur topat e kur do ta gjenim për të sulmuar portën. Duhet të kërkonim më shumë, duhet të kërkonim më shumë sulmuesin tonë.
Kundërshtari luan futboll, jo më kot ka 6 pikë. Nuk të lë zona, prandaj kishte 0 gola të pësuar. Duhet të merrnim masa në mbrojtje prandaj futëm Micin, u dëmtua edhe Hoxhallari. Do të bënim ndërrime të tjera kur ndeshja ishte 1-1 por kur shkoi 2-1 ndërruam mendje. Kur je në stol të vijnë 100 mendime, duhet të jesh shumë i qetë për të marrë ato të duhurat.
Nuk është problemi tek mbrojtja, sot kishim vështirësi nisjen e kundërshtarit pasi luante me 2 sulmues dhe shënuan që në fillim. Nuk më pëlqen fare të pësojnë, sot u ndëshkuam nga një kundërsulm.