
Tirana fiton bindshëm, por tremb shumë. Kampionët e Shqipërisë arritën të triumfonin dje në Kupë me rezultatin 4-1 kundër Shkumbinit. Ashtu si në letër, edhe në fushë bardheblutë treguan se jo më kot mbajnë petkun e kampionit.
Megjithatë prova e së vërtetës është të mërkurën. Skuadra e drejtuar nga Emanuel Egbo do të ndeshet me Kukësin e ndërtuar për titull kampion. Në orën 13:45, kryeqytetasit përballen me verilindorët në stadiumin e Korçës. Ndërsa dje pati optimizëm në kampin bardheblu, një gjë e tillë s'mund të thuhet për ndeshjen e parë të Superiores.
Celhaka i dëmtuar, Tozhevski gjithashtu, Cale që do të kthehet pas 3 muajve dhe mungesat e Bathës me Torasën e bëjnë ekipin e Tiranës jofavorite. Pikërisht kjo është ajo që është trumbetuar në panelet sportive nga analistët, disbalanca e nivelit të stolit me 11-shen titullare. Edhe pse kampionët afruan lojtarë nga Afrika që priten të bëjnë diferencën, atyre u duhet ende kohë për t'u përshtatur me bardheblutë.
11 lojtarë janë pak për të përballuar një sezon të vështirë, ku ndeshjet do t'i luajnë thuajse çdo 3 ditë për shkak të ngjeshjes së kalendarit. Ndaj kjo Tiranë që në formacionin e parë ka futbollistë që bëjnë diferencën në elitë, shton optimizmin, por kur vjen momenti i stolit, tremb shumë... /Retin TOKA/