
Lautaro Martinez ishte një nga protagonistët e fitores së Interit ndaj Barcelonës. Argjentinasi shënoi golin e parë për të tijtë, duke u dhuruar edhe avntazhin, ndërsa nuk rreshti kurrë së dhëni maksimumin për triumfin 4-3 të të tijve.
Për aktivizimin e tij u vendos vetëm në fund dhe Simone Inzaghi i besoi nga minuta e parë, pavarësisht shqetësimeve që kishte ditët e fundit. Kapiteni ka treguar se ka qarë nga dhimbjet dhe shpresonte deri në fund për të luajtur ndaj spanjollëve.
“Ndjeva një dhimbje në këmbë dhe dy ditët e para thjesht u ula në shtëpi duke qarë, por bëmë një punë të shkëlqyer me stafin dhe arrita të rikuperohem, edhe pse nuk isha 100 për qind në formë.
Kështu e përjetoj unë futbollin, duhet të japësh gjithçka nga vetja në këto ndeshje. I premtova familjes sime se do të hyja në fushë sot.
Kam shumë mendime brenda meje. Ne u përballëm me një ekip të fortë, por Interi e ka rritur nivelin për katër ose pesë vjet, çdo vit, dhe jemi krenarë. Ky ekip nuk dorëzohet kurrë dhe stadiumi është i jashtëzakonshëm me këta tifozë.
Kemi menduar për këtë që nga dita pas humbjes së finales së fundit. Tani duhet të rikuperojmë energjitë tona, ta përfundojmë sezonin mirë dhe të dimë se kemi një tjetër mundësi për të shkruar historinë”, ka theksuar kapiteni zikaltër.