Tirana do të udëhtojë të dielën në Korçë për t’u përballur me Skënderbeun në orën 17:00, sfidë e vlefshme për javën e 12-të të Superiores. Bardheblutë duan të vazhdojnë ecurinë e fitoreve pas suksesit me Teutën teksa mund të përfitojnë edhe nga forma e dobët e bardhekuqve.
Në përgatitje të kësaj sfide, trajneri Julian Ahmataj ka një dhimbje koke të tmerrshme teksa infermieria e klubit është mbushur plot. Janë gjithsej 6 mungesa të sigurta dhe 2 të tjerë në dyshim. Deliu dhe Doka u skualifikuan për shkak kartonas ndërsa Lulaj ende nuk është rikthyer me grupin. Të dëmtuar prej kohësh janë edhe Selmani, Abdullahi dhe Patrick. Dyshja në dyshim janë Abazaj dhe Latifi që kanë shfaqur shqetësime dhe vendimi do të merret vetëm në momentin e fundit.
Diçka e tillë bën që formacioni të jetë i ‘fiksuar’ tashmë me Kozin në portë dhe Haxhiu, Najdovski, Hoxhallari e Përgjoni para tij. Këtu vijnë dhe dilemat e Ahmatajt. Nëse Latifi dhe Abazaj ia dalin, atëherë të dy do të luajnë nga e para me një skemë tip 4-4-2, por në të kundërt, do të rikthehet skema me 3 sulmues me Hasanin, Kainan dhe njëri prej tyre në krah.
Hila është i ‘blinduar’ nga minuta e parë me Jonuzin dhe Lushkjen në balotazh, por pikë të mira po fiton edhe djaloshi i akademisë Ermal Meta i cili mund të luajë si në mbrojtje ashtu edhe si 6-sh.