
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur në konferencën për shtyp pas përfundimit të ndeshjes ndaj Dinamo Batumit. Bardheblutë fituan me rezultatin 1-2 dhe arritën të kualifikoheshin më tej në raundin e dytë. Tekniku i kryeqytetasve shprehet mjaft i lumtur për këtë sukses, por beson se ekipi i tij mund të bënte akoma më mirë.
Kualifikimi.
Jam shumë i kënaqur që arritëm të kualifikoheshim në një stadium të tejmbushur, i cili padyshim që ushtron presion te skuadra kundërshtare. Por ne e menaxhuam mirë dhe mendoj se ishte një kualifikim i merituar. Për mua është arritje, sepse kundërshtari nuk ishte aspak i lehtë.
Golat e Tiranës nga dy zëvendësuesit, Lushkja dhe Deliu...
Unë e kisha thënë edhe para ndeshjes që për fatin e mirë kemi një skuadër të kompletuar dhe më vjen mirë që të gjithë zbatojnë detyrat dhe bëjnë më të mirën për këtë fanellë. Pavarësisht se kush e nis titullar, fakti është që ata që hyjnë nga stoli janë të të njëjtit nivel, madje ndryshojnë edhe rrjedhën e ndeshjes. Kjo ishte një zgjedhje për fillimin e lojës, por duke parë që Lushkja u konsumua sepse shpenzoi shumë energji e më pas po vuante në fazën mbrojtëse, atëherë vendosëm të bëjmë ndërhyrje duke aktivizuar Deliun. Edhe ai është titullar për mua, mendoj se i bëri mirë detyrat mbrojtëse, por edhe arriti të shënojë.
Ndryshimi i kësaj ndeshje me atë në Tiranë?
Patjetër që në interpretimin nga ana jonë kishte ndryshime. E them këtë sepse nuk është njësoj si ta analizosh kundërshtarin nga sekuenca filmike dhe ta analizosh pasi je përballur me të. U përpoqëm të merrnim masat dhe të ndryshonim diçka. Gjërat për fat të mirë shkuan siç duhet dhe jam shumë i kënaqur me këtë. Ishim më të vëmendshëm edhe më të vendosur. Ishim gjithnjë në ekuilibër sepse ndryshuam mënyrën se si bënim presing dhe se si mbroheshim. Ndoshta mund të kishim shënuar edhe ndonjë gol tjetër, por gjithsesi jam i kënaqur.
Si duken afrimet e reja?
Jemi të vetëdijshëm se ne këtë verë ofruam shumë lojtarë dhe me shumë përvojë. Qëllimi ishte që të plotësojmë organikën dhe të mos kemi probleme. Duhej të dublonim pozicionet dhe këtë e kemi bërë. E dimë shumë mirë që efekti kohë është shumë i rëndësishëm. Sigurisht, pas çdo ndeshje skuadra përmirësohet gradualisht dhe mendoj se do të performojë më mirë në të ardhmen, pasi cilësitë që kanë dhe njohja e tyre do t’i ndihmojë të arrijnë të bëjnë atë që duhet në fushë. Megjithatë, kemi ende kohë për të punuar. Sot (dje) do të mendojmë vetëm për kthimin në Shqipëri, por edhe për t’u gëzuar për këtë kualifikim. Pastaj, nga dita e nesërme do të mendojmë për transfertën që kemi në Turqi.
Çfarë prisni për ndeshjen me Beshiktashin?
Dihet kush është kjo skuadër dhe çfarë përfaqëson. Ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën, por gjërat e tjera t’ia lëmë fushës dhe të mos flasim para kohe.