
Java e 15-të e Superiores ka rezervuar derbin e kryeqytetit, përballjen mes Partizanit dhe Tiranës. Këtë takim, presidentët Gaz Demi dhe Refik Halili kanë dëshirë ta luajnë në stadiumin e ri që është ngritur në kryeqytet. Mirëpo ende nuk ka një dritë jeshile nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kosto prej 20 milionë lekësh e vendosur nga FSHF-ja për qeranë e një sfide është e papërballueshme për buxhetet e dy klubeve.
Njëri variant është që të bëhet skonto dhe siç pati deklaruar presidenti Duka, qeraja për një ndeshje të jetë 4-5 milionë lekë (të vjetër) si në legjendarin "Qemal Stafa". Nëse nuk vendoset kjo, në FSHF po mendojnë që të ndajnë biletat. Në një ndeshje derbi stadiumi pritet të jetë "sold out", ndaj 30 përqind të biletave t'i kalojnë FSHF-së, pjesa tjetër klubit organizator. Pritet të shihet se çfarë do të vendoset përfundimisht për derbin e kryeqytetit.