Sot, në "Air Albania Stadium" u luajt ndeshja mes Kukësit dhe Tiranës e përfunduar me shifrat 1-2 në favor të bardhebluve. Ritmi i lartë ishte ai që përndoqi gjatë gjithë 90 minutat, ndërsa kontestimet nga ana e dy tifozërive ishin prezente. Impianti modern ishte dëshmitar i disa ngjarjeve të shëmtuara, ku mbështetësit e dy skuadrave shkatërruan stolat në tribunat përkatëse.
Fillimisht ishin tifozët bardheblu, të cilët reaguan ashpër pas autogolit të Kristi Vangjelit. Stola në drejtim të tij, shishe dhe sharje në kor. Edhe pse të vetëdijshëm që fajin s'ua ka stadiumi i ri, përkundrazi komoditeti që të ofron, të josh ta shohësh nga afër, ata sërish u tradhëtuan nga nervat.
E njëjta gjë ndodhi në fundin e ndeshjes me tifozët verilindorë. Dy golat e Tiranës për dy minuta ishin si një "rrufe në qiell të hapur" për ta. Duke qenë të pafuqishëm ndaj realitetit, ata gjetën të "hakmerreshin" me stadiumin të ndërtuar. Qindra stola të thyer, fusha e shndërruar në minierë shishesh. Bilanc që vërtetë s'i ka hije aspak asaj që u dha në fushën e blertë.
Të vjen keq kur e sheh një gjendje të tillë, pasi për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar kemi një stadium të tillë. Edhe pse në parlament janë implementuar një sërë ligjesh, sërish ata që shkojnë për të mbështetur skuadrën e tyre, duken gjithë kohën në "luftë me mullinjtë e erës". Në fund, njëri do të fitojë e tjetri duhet të humbë. Ndaj ta lëmë stadiumin në "qefin" e vet e ne të shkojmë të bëjmë tonin duke përkrahur ekipin e zemrës, pa cënuar në atë që u desh shumë vite për ta ngritur.
Newsport.al ka siguruar disa foto pas ndeshjes, ku shihen në të dy krahët pas portave, stolat e thyer nga tifozët e Kukësit dhe të Tiranës. Tashmë barra bie mbi arkat e të dy klubeve që duhet të dëmshpërblejnë dëmet e bëra.



