
Amadu Latif do të duhet të përgatitet në mënyrë të veçantë për nisjen sa më mirë të pjesës së dytë të sezonit në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë. Stafi teknik i Teutës ka vendosur që futbollisti të stërvitet me regjim të veçantë për shkak se këtë periudhë mbërriti me vonesë në Shqipëri dhe qëndroi në pritje të transferimit të tij të shumëpritur në Bjellorusi.
Tashmë që operacioni i shitjes së bujshme të tij te Shakhtyor Soligorski dështoi, Latif duhet t'i përkushtohet maksimalisht skuadrës për objektivat e sezonit. Nga ana tjetër, klubi bregdetar po punon për transferimin e sulmuesit bullgar Radoslav Vasiliev, por negociatat kanë ngecur në pikën e pagës mujore, për të cilat Teuta në këto kushte nuk mund t'ia plotësojë, por deri në datën 31-janar midis klubit durrsak dhe bullgarit mund të finalizohet me sukses marrëveshja. Nëse ky transferim do të bëhej realitet, Teuta do të pajisej me një repart sulmues të frikshëm, duke patur parasysh që Latif është golashënuesi më i mirë deri tani i Kategorisë Superiore, ndërsa Vasiliev ka realizuar në karrierë 31 gola në 154 takime.