
Vllaznia dhe Bylisi nuk kanë shkuar më larg se një barazim pa gola (0-0) në miqësoren e zhvilluar ditën e sotme në Shkodër. Ky takim startoi në orën 13:00, ndërsa ishte i vlefshëm për dy trajnerët për të parë gjendjen e futbollistëve në dispozicion. Edhe pse vendasit ishin më këmbëngulës, ekipi i drejtuar nga Dovedan tregoi sërish se do të jetë skuadra që do t'i hapë punë çdo kundërshtari, teksa jo më kot është konsideruar si "Hirushja" e Superiores.
Kuqeblutë zbritën në fushë me Sherrin në portë, Adili, Shehu, Malota dhe Marku në mbrojtje, në mesfushë Gurishta, Bardulla, Ramadani dhe Lika, ndërsa në sulm Shtubina duhet të mbështeste Hristov të ardhur në këtë merkato dimri. Ka qenë një provë relativisht pozitive për dy trajnerët, të cilët kanë vënë "piketat" sa i përket titullarëve që do të aktivizohen në javën e 18-të të Superiores.