
Një tërmet shkatërrimtar me magnitutë 6.8 ka goditur Marokun ditën e premte. Numri i viktimave po rritet në mënyrë dramatike, ndërsa ekipet e shpëtimit po garojnë me kohën për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja.
Për këtë situatë të vështirë që po kalon Maroku ka reaguar edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Kreu i FSHF-së i shpreh ngushëllime popullit maroken, ndërsa luten që sa më shpejt të kalojë kjo situatë.
“I tronditur nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Marokun, duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të pallogaritshme materiale në të gjithë vendin.
Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, dëshiroj ti shpreh popullit maroken dhe Federatës Marokene të Futbollit ngushëllimet e mia më të ndjera e më të sinqerta në këtë moment të dhimbshëm për të gjithë.
Në këtë moment të vështirë të githë mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre dhe të gjithë njerëzit që janë prekur nga kjo fatkeqësi.
Teksa lutemi për ju, u urojmë shërim sa më të shpejtë të lënduarve si edhe shpresojmë shumë për një rimëkëmbje të shpejtë e rikthim në normalitet”, ka shkruar Duka.