Jemi vetëm 5 ditë para startit të kampionatit dhe te Vllaznia duket se situata nuk është aspak e qetë. Shkak është bërë një mosmarrëveshje që ka lindur mes trajnerit Migen Memellit dhe Esin Hakajt.
Sipas “Startplus-tv” gjithçka ka nisur që para ndeshjes së Conference League ndaj Linfield, ku Memelli i ka kërkuar Hakajt që nga formacioni titullar të kalojë tek i dyti. Diçka e tilë nuk i ka pëlqyer mbrojtësit, i cili ka reaguar duke nxitur kështu edhe mosmarrëveshjet mes tyre.
Për të shtuar akoma më shumë “dozën” e pakënaqësisë ka majftuar zëvendësimi në ditën e ndeshjes së Hakajt me Spahiun. Por jo vetëm kaq, pas ndeshjeve të Europës lojtari pësoi një dëmtim që e mbajti disa javë larg skuadrës, duke bërë që shiriti i kapitenit të kalojë në krahun e Bekim Balajt.
E kur tashmë mbrojtësi është rikthyer në skuadër dhe ka marrë pjesë ne miqësoret e fundit si ajo ndaj Dinamos, sërish shiriti i kapitenit është mbajtur nga sulmuesi Balaj. Kjo ka nxitur akoma më shumë debatin mes palëve, pasi Hakaj ndihet i nënvlerësuar nga trajneri, me dyshen që kanë debatuar me tone të ashpra me njëri-tjetrin.
Duke parë një situatë të tillë drejtusit kanë organizuar një takim mes tyre për të sqaruar të gjithë ngjarjen dhe ende nuk dihet nëse mes palëve është gejtur “paqja”. Një situatë e tillë nuk i shkon për shtat kuqebluve pak ditë para kampionatit ku do të presin Kukësin në “Loro Boriçi” për të luajtur edhe sfidën e parë të sezonit më 26 gusht.