
Ditën e nesërme është programuar të luhen ndeshjet e para të Kategorisë Superiore pas dy muajsh e gjysmë ndalesë prej pandemisë së Covid-19. Bylis do të presi në shtëpi Tiranën kryesuese, por ky është vënë në dyshim pasi një prej futbollistëve ballshiotë ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Në një prononcim për “Supersport”, trajneri Dovedan foli për gjendjen e skuadrës dhe sfidën ndaj bardhebluve.
“Ne jemi stërvitur normalisht gjatë këtyre ditëve. Nuk kemi bërë asnjë ndeshje miqësore. Kemi punuar, por është e vështirë të përcaktosh gjendjen e tyre, sepse nevojiten dy ose tri ndeshje për të krijuar një ide më të qartë”.
Sfida ndaj Tiranës? “Tirana është një skuadër e mirë, por ne do të përpiqemi të fitojmë. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, por fakti që luajmë në fushën tonë më bën të besoj në një rezultat pozitiv”.
Ndalesa e kampionatit në momentin e duhur? “Këtë gjë nuk di ta them. Çdo gjë do të kuptohet vetëm në fushën e blertë. Mendoj se duhet të kthehemi te skuadra që kemi qenë në dhjetor”.