
Javë pas jave gjërat kanë ndryshuar përsa i përket renditjes dhe objektivave. Një javë mund të betohesh se del Partizani kampion, një javë më pas Kukësi duke e lënë jashtë gare Skënderbeun e një javë tjetër korçarët rikthehen.
Tirana garonte për titullin, pastaj Europën dhe as e mendonte mbijetesën. Sot është seriozisht më e rrezikuara. Flamurtari dukej i rënë tani mendon Europën njësoj si Teuta apo dhe Vllaznia.
Rrëmujë e bukur. Për herë të parë në kampionatin shqiptar është e pamundur të bësh parashikime të sakta, të flasësh për aleanca e të shohësh skuadra të ndihmojnë njëra-tjetrën në një mënyrë apo një tjetër.
Të gjithë janë në garë për gjithçka. Edhe Korabi që është dorëzuar luan për t’i prishur punë kundërshtarëve kundrejt shpërblimeve që i vihen nga rivalët e rivalëve që luan në fushë. Edhe katër javë për t’u shijuar…