
Kombëtarja e Danimarkës është ajo që ka ngritur më së shumti zërin për situatën e të drejtave të njeriut në Botërorin e Katarit. Sipërmarrje nga më të ndryshmet janë ndërmarrë nga danezët për goditjen ndaj padrejtësive në Katar. Një muaj më parë u publikuan fanelat e ekipit që ishin me design të thjeshtë dhe ajo e treta ishte e gjitha e zezë për të simbolizuar ngjyrat e “zi-së” për ata që kanë humbur jetën në ndërtimin e stadiumeve.
Së fundmi, FIFA i mohoi Danimarkës mundësinë për të veshur një fanelë speciale për seancat stërvitore. Uniforma pritej të mbante në të shkrime si “Të drejtat e njeriut janë për të gjithë” por organi më i lartë i futbollit ndalon rrepstësisht mesazhet politike në fanelat e skuadrave.
“Kemi bërë një kërkesë në FIFA, por përgjigjja ishte negative. Na vjen shumë keq për këtë por ne duhet të marrim shënime.”- tha drejtori ekzekutiv i Federatës Daneze, Jakob Jensen.