Klubi i Tiranës ka reaguar për artikujt që qarkullojnë nëpër medie ditët e fundit ku bëhej me dije se bardheblutë kanë përfituar nga Federata Shqiptare të Futbollit shuma monetare në mënyrë ilegjitime.
Të ardhurat nga pjesëmarrja në Kupat e Europës sipas atyre medieve kishin kaluar në mënyrë informale përmes FSHF-së në arkat e klubit bardheblu. Kësisoj, përmes një reagimi në faqen zyrtare bëhet me dije se:
“Nisur nga sensibiliteti i madh mediatik duke përmendur dhe lakuar në mënyrë të papërgjegjshme emrin e KF Tirana dhe llogaritë e klubit dëshirojmë të sqarojmë se:
1. Asnjëherë, asnjë vlerë monetare nuk ka kaluar në asnjë llogari tjetër përvecse ato zyrtare të KF Tirana.
2. Kushdo që është i interesuar, subjekt, gazetar apo futbollist që kërkon informacione të sakta për këtë cështje duhet të drejtohet në departamentin e zyrës së shtypit të klubit, për të gjitha informacionet e nevojshme.
3. Cilido që do të njollosë emrin e klubit 25 herë kampion në Shqipëri, për interesa meskine apo goditje të ulta për mënyrën sesi menaxhohet ky investim i madh, do të përballet me procedurat ligjore për shpifje sic parashikon ligji shqiptar.
4. Klubi ka qënë gjithmonë i hapur dhe transparent me publikun në cdo situatë dhe për këtë arsye sqarojmë se nuk do të lejojmë askënd të përbalti punën tonë”.
