Superiorja do të vijë ditën e sotme me 3 sfida mjaft interesente që vë përballë 6 ekipe që kanë “detyrim” fitoren. Do të luhet në aksin Shkodër - Rrogozhinë – Korçë.
Gjithçka do të startojë me duelin e Rrogozhinës, ku Egnatia pret Laçin. Një sfidë mes të barabartëve, pasi të dyja ekipet në 4 javë kampionat kanë grumbulluar nga 7 pikë. Humbja e Tiranës ndaj Erzenit bën që sfida mes rrogozhinasve dhe kurbinasve të jetë më e luftuar, me dy ekipet që synojnë të jenë lider të klasifikimit. Ky takim do të nisë në orën 15:00.
Ndërkohë 3 orë më vonë, ora 18:00 do të jetë radha e një tjetër takimi mjaft interesant. Skënderbeu pret Kukësin. Korçarët kërkojnë të rikthehen te fitorja në kampionat, ndërsa nga ana tjetër verilindorët kanë “detyrim” fitoren e parë të sezonit.
Për të ulur siparin e ndeshjeve të javës së 5-të është sfida mes Vllaznisë dhe Teutës. Ky takim do të luhet në “Loro Boriçi” duke nisur që nga ora 20:15. Si shkodranët ashtu edhe durrsakët do të synojnë vetëm 3 pikët për t’u renditur në zonën “Final-Four”.
[caption id="attachment_707225" align="alignnone" width="681"] Ndeshjet e sotme ne Superiore[/caption]