Klubi Sulova Sport ka festuar 2-vjetorin e themelimit, duke shënuar një rritje të qëndrueshme në futbollin bazë.
Aktualisht, klubi numëron 64 djem të federuar dhe po punon për krijimin e një ekipi me 10 vajza, ndërsa ka disa ekipe aktive në garat zyrtare, në bashkëpunim me trajnerë profesionistë.
Me rastin e këtij përvjetori, Sulova Sport përfitoi për herë të parë nga projekti i Federatës Shqiptare të Futbollit “Uniforma Ime”, ku të gjithë sportistët u pajisën me nga një komplet uniformash sportive dhe çanta, në mbështetje të zhvillimit dhe motivimit të futbollistëve të rinj.
Futbollistët e rinj u përshëndetën nga Kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan, Ilirjan File, ku ishte i pranishëm së bashku me drejtorin teknik të SHRF Elbasan, Eriol Merxha.
Ky aktivitet përfaqëson një tjetër hap konkret të FSHF-së në mbështetje të futbollit bazë dhe akademive sportive në të gjithë vendin, duke krijuar kushte më të mira për rritjen dhe formimin e brezave të rinj.
