Federata e Futbollit vijon të investojë në zhvillimin e talenteve të reja përmes projektit Elite Youth Academy, një iniciativë e nisur rreth një vit e gjysmë më parë me mbështetjen dhe nën kujdesin e UEFA-s. Ky projekt është konceptuar si një hap i rëndësishëm për të ndërtuar brezat e ardhshëm të futbollit shqiptar, duke ofruar kushte dhe programe të avancuara për elementët më të talentuar në vend.
FSHF TV sjell një reportazh të veçantë, që pasqyron rrugëtimin e këtij projekti që nga themelimi e deri te rezultatet e sezonit të parë. Në këtë material rrëfehen nga afër përvojat, puna e përditshme dhe objektivat që shoqërojnë zhvillimin e lojtarëve të rinj në këtë akademi.
Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, së bashku me trajnerët Armando Dama, Francesco Vitobello, Genc Mahmutaj dhe Erti Doda, ndajnë vlerësimet dhe përvojën e tyre për sezonin e parë të Elite Youth Academy, ndërsa trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, flet për rëndësinë që ka ky projekt në përgatitjen e lojtarëve për nivele më të larta të futbollit.
Po ashtu, kujdestarja Luçije Gjini tregon për organizimin dhe funksionimin e përditshëm të këtij projekti të veçantë, që synon të krijojë një mjedis profesional për zhvillimin e futbollistëve të rinj.
Ëndrrat dhe ambiciet e futbollistëve të vegjël, që synojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në futboll, vijnë në episodin e parë të “Akademia Jonë”, një seri që sjell më pranë historitë dhe përkushtimin e brezit të ri të futbollit shqiptar.
