Partizani duket se nuk ka shumë stabilitet në anën organizative, ndërkohë që skuadra është dukur shumë e varfër në ndeshjen e parë në Europa League me Slovan Bratislavën, ku barazoi 0-0. Disa orë përpara ndeshjes u mësua se nga ekipi i kuq u largua sulmuesi Xhevahir Sukaj, që do të luajë në Malejzi në vazhdim. Sulmuesi shkodran kishte 20 mijë euro për të marrë dhe, pasi kishte në dorë gjysmat, bëri publik largimin, duke u falur të kuqve gjysmën tjetër. Por vetë Sukaj, siç shkruan “Panorama Sport”, thekson se arsyeja e largimit të tij nga të kuqtë lidhet me faktin se trajneri i ri, Sormani, nuk e ka pasur në planet e tij. Mund të jetë e vërtetë, pasi për sulmueisn është thënë se është jashtë forme. Ja çfarë thotë konkretisht Sukaj: “Isha gati të luaja në ndeshjen me Slovanin, por, kur mora vesh se nuk isha pjesë e ekipit, vendosa të largohem. Kur nuk të duan, nuk ke çfarë të bësh tjetër”. Secili mund të gjykojë vetë se kush ka të drejtë, Partizani apo Sukaj…