
Sulejman Starova ka folur para ndeshjes së Teutës kundër Kukësit, e vlefshme për javën e 21-të të Superiores. Drejtori sportiv i durrësakëve analizoi shkurtimisht ekipin e tij, ndërsa u ndal edhe të kundërshtarët.
Ai vazhdon t'i mëshojë faktit që mbrojtja më e mirë fiton titullin kampion. Megjithatë këmbëngul që objektivi do të jetë ndeshja e radhës. Në një lidhje direkte për Gol pas Goli, ish trajneri i njohur, tashmë në postin e drejtorit sportiv, deklaroi:
"Jemi të fokusuar te gara, jo te klubet e tjera. Do të thoja që Teuta i ka mundësitë për të qëndruar në nivele më të larta. Mund të përmend Vilën apo Grudën që po vuan konkurrencën e madhe që ka ekipi. Pa përmendur lojtarë të tjerë sepse akademia e Teutës ka bërë mirë.
Konsolidimi i skuadrës? Tani kjo varet. Ne kemi mënyrën tonë të lojës. Kemi dhe gjendjen e mirë psikologjike. Vijmë nga disa fitore radhazi. Barazimi i Vllaznisë dhe afrimi i gjithë skuadrave e ka bërë interesante. Luajmë kundër ekipi që kanë karakteristika ndryshe nga ne. Kjo ndeshje i ka të treja rezultatet. Sigurisht që Kukësi ka fituar me Tiranën dhe moralin e ka lart. Humbi me Partizanin por duke luajtur mirë. Po besoj se ka objektiv të Kapë Europën përmes Kupës apo edhe kampionatit.
Diferenca? Këto janë llogari që bëhen gjithë kohën. Rruga për të dhënë një përgjigje sa më të drejtë është të fitosh me Kukësin apo dhe Vllazninë. Skuadra jonë ka të njëjtin ritëm prej kohësh. Luan shpejt, është agresive. I ka dubluar postet. Me të drejtë kërkon të fitojë kampionatin. I plotëson të gjitha kushtet, por ka konkurencë brenda. Kjo e çon ekipin përpara.
Ndryshimi i skuadrave të mëdha me të vogla është kjo, nuk ke mundësi për vazhdimësinë. Ky është sekreti. Ne po arrijmë të krahasojmë ekipet tona me ato të huajat që kanë super buxhet etj, etj. Skuadrat s'po arrijnë 3-4 milionë euro investime. Sot kanë kaluar 30 vite dhe më në fund ekipet e kanë mendjen te infrastruktura.
Vllaznia? Ne që jemi sportistë, specialistë jemi ndryshe nga tifozi. Ne s'mund të bëjmë llogarira. Duhet ta kemi mendjen te kundërshtari i radhës. Siç ka qenë gjithmonë, kjo është ndeshja e radhës. Kjo mbaron, kur përfundon e fundit.
Titulli? Në mënyrë absolute, mbrojtja më e mirë fiton kampionatin. Në fazën difensive bëhen riparime të dukshme. Është e vështirë të riparosh fazën sulmuese. E kemi pasur mundësinë për të pasur edhe më shumë gola në statistika", ka thënë ai.